Trashëgimia Kulturore

Arkitektura

Gjatë pothuajse të gjithë historisë së njeriut, mbijetesa është varur nga mbarështimi i llojeve të ndryshme të kafshëve dhe blegtoria. Dhe rajoni i Bjeshkëve të Nemuna nuk bën dallim. Pozicioni specifik gjeografik, terreni, historia individuale dhe zhvillimi kanë ndikuar në shumë aspekte të jetës: modelet e shtegtimit, kafshët që njerëzit zgjodhën për blegtori, arkitekturën dhe materialet e ndërtimit. Lokalitete të ndryshme kanë kushte klimatike, temperatura, intensitet të erës, reshjet (shiu dhe dëbore) të ndryshme, dhe kështu që këto parametra të ndryshëm përcaktojnë lloje të ndryshme të strukturave, veçanërisht format e kulmeve, në mënyrë që të arrihet stabiliteti i ndërtesave dhe komforti më i favorshëm termik me konsum racional dhe ekonomik të energjisë për ngrohje ose ftohje.

 Shtëpitë e vjetra tradicionale në këtë zonë zakonisht ndërtoheshin mbi themele guri dhe më pas me materiale të ndryshme druri mbi këto themele. Forma e tyre e zakonshme ishte shumë asketike, me kulme me rrasa druri ose me rrasa guri, me maja të latuara ose në forme piramidale. Shtëpitë me këto tipare i përkasin një lloji më të gjerë të shtëpive malore të Ballkanit. Thuhet se këto shtëpi thjesht u lindën nga vendet ku ishin vendosur, por këtu fjala “vend” nënkupton jo vetëm pozicionin, por edhe vetë përzierjen e natyrës, njerëzve dhe zakoneve të tyre. Llojet e ndryshme të arkitekturës zakonisht interpretohen përmes formës dhe materialeve. Por, për arkitekturë të mirë, përveç formës dhe materialeve, ndihmë e madhe janë edhe njohuritë për temat shoqërore dhe etnologjike të lidhura me zonën.

 Arkitektura tradicionale popullore

Arkitektura popullore është pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e peizazhit kulturor. Përmes kësaj arkitekture popullore është e mundur të shihen qartë se si ishin kushtet për një njeri që e ndërtonte vetë shtëpinë e tij. Gjithashtu, ajo tregon më shumë për materialet që e rrethonin atë njeri, dhe kjo është arsyeja pse kemi shtëpi guri në bregdet dhe shtëpi druri në male. Pjerrësia e kulmit tregon si është klima – sa më i pjerrët kulmi aq më të shumta reshjet. Paraqitja hapësinore tregon aktivitetet kryesore ekonomike të amvisërisë. Detajet tregojnë cilën teknologji ndërtimi ka përdorur i zoti i shtëpisë. Mund të mësosh shumëçka në lidhje me një person vetëm duke parë shtëpinë që ka ndërtuar dhe mënyrën si e ka organizuar pronën e vet. Ndoshta mësimi më i rëndësishëm që mund të nxirret duke parë këto shtëpi të vjetra është se paraardhësit tanë, sado të kufizuar në vegla, teknologji dhe mjete transporti, kanë realizuar objekte nga materialet lokale, në harmoni me zonën përreth, dhe u kujdesën që të mos ta shkatërrojnë mjedisin në mënyrë të pariparueshme, shumë më tepër sesa kujdesemi ne. Ata gjithashtu u përpoqën të mos merrnin më shumë nga sa ishte e nevojshme nga natyra, por të përdornin aq sa kishin nevojë, duke treguar kujdes që të mos e dëmtonin natyrën shumë.

Kur bëhet fjalë për arkitekturën popullore të këtij rajoni, pasuria natyrore, por edhe dallimet në grupet etnike që kanë jetuar dhe ende jetojnë këtu, kanë ndikuar në faktin se kemi një trashëgimi të konsiderueshme në këtë fushë, si dhe shumë ndërtesa tradicionale që mund të shihen në pothuajse çdo fshat edhe sot.

Kullat

Kullat prej guri që mund të shihen në zonën e brendshme dhe në afërsi të Bjeshkëve të Nemuna ndryshojnë nga llojet mbizotëruese të shtëpive në rajone të tjera. Pamja e tyre e jashtme, struktura dhe organizimi hapësinor janë një përshtatje ndaj atyre që mund të konsiderohen si më shumë nevoja ushtarake dhe mbrojtëse. Ato janë në thelb të thjeshta, të pastra, pa hapje të mëdha, me kulme të pjerrëta me rrasa druri. Më vonë ata u bënë një simbol i pasurisë dhe fuqisë së familjeve, kështu që nevoja për t’i ruajtur gjatë shekujve ishte prioritet për këto familje. Ndonjëherë edhe shtëpitë e zakonshme quheshin “kulla” nëse u përkisnin personave në pozitë më të lartë shoqërore. Sot, ato janë shkrirë me peizazhin, të shpërndara mes shtëpive të vjetra dhe atyre të ndërtuara rishtazi që tipologjikisht nuk i përkasin stilit arkitektonik të këtij rajoni. Disa kulla janë ende të banuara, por zakonisht në ditët e sotme familjet nuk preferojnë të jetojnë në to, pasi funksioni i tyre mbrojtës nuk i hyn në punë njeriut modern. Por ishte ky funksion dhe rimodelim i tyre i vazhdueshëm që e zgjeroi brendësinë e tyre origjinale asketike. Për fat të mirë, disa familje nuk e harruan këtë atmosferë unike dhe i rikthyen disa nga këto kulla në lavdinë e tyre të dikurshme. Në disa raste, kullat janë shndërruar në restorante dhe bujtina që ofrojnë mjedise unike dhe atraktive për turistët, ku së bashku me ushqimet tradicionale të shërbyera, vizitorët përjetojnë mënyrat tradicionale të jetesës në shtëpi të tilla dhe në rajon.  

Stanet

Kur bëhet fjalë për origjinën e staneve, zakonisht ato konsiderohen vend verimi të bagëtisë, ku barinjtë çojnë kopetë e tyre për të siguruar më shumë ushqim dhe për t’iu shmangur nxehtësisë gjatë muajve të verës. Ka edhe opinione të tjera, por gjithçka lidhet me faktin se stanet kishin lidhje me blegtorinë, jo vetëm në rajonin e Bjeshkëve të Nemuna por në të gjithë Gadishullin Ballkanik. Vetë termi stan vjen nga mesjeta. Pjesa interesante është se këto stane ishin dhe janë ende të lidhura ngushtë me origjinën e familjeve dhe fiseve që i zotëronin. Gjithmonë dihej se në cilat stane do të shkonte cili fis me bagëtitë e veta. Dhe ata kurrë nuk i ndryshuan, edhe pse nuk kishte dokumente të shkruara që vërtetonin pronësinë e ndonjë prej shtëpive, kasolleve, livadheve, pyjeve, etj… Ndonjëherë edhe mbretërit “ua falnin” pjesë të rajoneve të ndryshme malore fiseve të ndryshme për merita të jashtëzakonshme, zakonisht gjatë ose pas lufte. Nuk ishte kurrë e lehtë të zgjidhje stanin e duhur, sepse pasojat mund të ishin të rënda. Barinjve u duhej të mendonin shumë detaje: sa ditë do të duheshin për të arritur atje me gjithë bagëtinë (nuk kishte kamionë, e gjitha bëhej në këmbë), a do të kishte ushqim të mjaftueshëm për bagëtitë, burim të afërt ose burime të tjera ujit, etj… Dhe pasi e zgjidhnin vendin më të favorshëm, fillonte ndërtimi i objekteve të kërkuara, të cilat përfshinin lloje të ndryshme të shtëpizave malore, vathëve dhe mrizeve për bagëtinë, etj…

 Barinjtë

Historia e staneve nuk do të ishte e plotë pa përmendur barinjtë. Preokupimi i tyre kryesor ishte (është) të kujdesen për kopenë e tyre me kujdesin më të madh dhe ta mbrojnë nga kafshët e egra, kryesisht ujqërit dhe kusarët. Janë të shumta këngët popullore për barinjtë dhe syrin e tyre gjithnjë vigjilent, qofshin delet duke kullotur në paqe apo të kërcënuara nga çkado. Edhe natën, barinjtë bëjnë roje. Ata zakonisht flenë në një shtëpizë pranë vathës së deleve. Ata tregojnë kujdes të veçantë kur delet pjellin, dhe një bari i mirë dhe me përvojë do të dijë gjithmonë se cili qengj është nga cila dele. Ata zgjedhin dashin për mbarështim, në mënyrë që brezi i ri i qengjave të jetë më i miri i mundshëm. Barinjtë zgjedhin edhe dashin më të mirë që do t’i prijë kopesë, dhe një dash i tillë vlerësohej gjithmonë shumë me një çmim të veçantë, dhe madje përmendej me nder në shumë këngë popullore.

 Blegtoria

Në këto rajone, thuhet se pasuria e një njeriu është bagëtia e tij. Kur i pyesnin dikur për kushtet e tyre të jetesës, banorët e zonës shpesh përgjigjeshin “Jetojmë me bagëti”, dhe kjo donte të thoshte se ata jetonin mirë. Për pasojë, shqetësimi kryesor ishte si mbahej bagëtia, qoftë në drejtim të mbarështimit ashtu edhe në drejtim të sigurimit të ushqimit të përditshëm. Për popullsinë e këtij rajoni në Mal të Zi, ishte më lehtë të bëheshin barinj sesa të kultivonin kultura bujqësore në terrenet karstike të maleve veriore. Në zonat bregdetare ku kishte pyje të vegjël ku bagëtitë mund të ushqeheshin me sytha, nuk i kushtohej shumë vëmendje verimit ose dimërimit të bagëtisë. Por nëse kopetë ishin më të shumta kurse dimri gjashtë muaj i gjatë, nuk ishte e lehtë të sigurohej ushqim. Sidoqoftë, këta njerëz punëtorë ia dilnin në mënyra të ndryshme, madje deri në atë pikë sa grimconin gjethe dushku, lisi ose nga drunj të tjera, dhe i shtonin në ushqimin e bagëtive. Në anën e Kosovës, shumica e familjeve me origjinë nga këto fshatra malorë kishin prona në toka pjellore në rrafsh, ku ata kultivonin kultura bujqësore dhe ku jetonin gjatë dimrit, duke i mbrojtur bagëtitë e tyre nga moti i ashpër, dhe pastaj i zhvendosnin në stanet malore gjatë verës. Në të vërtetë, njerëzit kishin përfitime të shumta nga bagëtitë e tyre. Edhe sot mund t’i dëgjoni kur thonë se delja është e bekuar.  Prej saj merret qumështi, leshi, mishi, qengjat dhe lëkura. Lopët prodhonin qumësht, mish, viça, për përdoreshin dhe si kafshë pune, nga dhitë merrej qumështi, mishi dhe lëkura, ndërsa kuajt, mushkat dhe gomarët mbaheshin për punë pa të cilat jeta në fshat nuk mund të imagjinohej. Gjithashtu, produktet shtazore shiteshin ose shkëmbeheshin në natyrë, duke siguruar sende të tjera të nevojshme për jetën e përditshme.

 Shtigjet kulturore

Kur flitet për shtigjet kulturore në këtë pjesë të botës, duhet të përmendet se gjatë gjithë historisë ka pasur shumë ndikime të ndryshme kulturore, dhe disa kanë zgjatur për më shumë se 400 vjet. Sot ky rajon është një mozaik unik i epokave ilire, romake, bizantine, osmane, veneciane, austro-hungareze dhe jugosllave, dhe dëshmitë e kësaj shkrirja mund të shihen në shumë fusha të jetës së përditshme. Kështu që kur të ndiqni në shteg kulturor duhet ta dini se çka të prisni, dhe këtu mund të prisni shumë. Gjithashtu, shumë prej këtyre shtigjeve janë rrugë ndërkufitare që ju çojnë në Mal të Zi, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni të Veriut apo edhe Kroaci, dhe ato shkrihen dhe lidhen me të gjitha vendet fqinje në një përjetim të përgjithshme të Ballkanit. Ajo që shumë njerëz sapo kanë filluar të zbulojnë është shumëllojshmëria e këtyre peizazheve – nga plazhet me rërë të Adriatikut tek vargmalet spektakolare të Alpeve Dinarike dhe fshatrat e fshehur nën majat me dëborë që ofrojnë shumë aktivitete të ndryshme.

Menu