Biodiversiteti

Gjeomorfologjia komplekse e terrenit, kushtet e llojllojshme klimatike që shkojnë që nga klima submesdhetare deri tek klima alpine e bjeshkëve të larta, kanë formuar kushtet për krijimin e llojllojshmërisë së madhe të komuniteteve dhe habitateve të pasura me florë, vegjetacion të harlisur, si dhe botën e pasur shtazore. 

Flora 

Masivi bjeshkor i Bjeshkëve të Nemuna radhitet në bjeshka më të pasura në Ballkan nga pikëpamja e florës dhe të vegjetacionit. Këtu janë të përqendruara, si në ndonjë kopsht botanik të pasur, gati 2000 specie të ndryshme bimore, prej të cilave me rëndësi të vetë dallohen llojet endemike, relikte dhe ato të rralla. Gjithashtu, është karakteristike prania e bimëve shëruese, aromatike, bimëve që sjellin mjaltë dhe bimëve që rriten vetvetiu dhe shërbejnë edhe për ushqim. Në listën e llojeve bimore të mbrojtura në Mal të Zi ndodhen 415 specie, prej të cilave madje 60 ndodhen në Bjeshkët e Nemuna. Disa nga llojet që dallohen me bukuri dhe rëndësi të veta janë Pafti i Hiroknisë (Acer intermedium), Vulfenija e Bleçiqit (Wulfenia blecic), luleylli (Leontopodium alpinum), haraqina (Valeriana pancicii), klokëza lulemadhe (Silene macrantha), itd. 

Nga komunitetet bimore, si resurs më i rëndësishëm ekonomik por edhe turistik, veçohen pyjet. Pyjet janë burimi i paçmueshëm i vlerave estetike, por edhe faktori i pazëvendësueshëm i mbrojtjes së mjedisit të njeriut. Më atraktive janë pyjet halore ku mbizotërojnë llojet relikte të pishave të arnenit (Pinus peuce) dhe rrobullit (Pinus heldreichii). Përbërësit më tipikë dhe më cilësorë të këtyre pyjeve në Gasdishullin Ballkanik ndodhen pikërisht në Bjeshkët e Nemuna. 

Arneni dhe rrobulli në Bjeshkët e Nemuna dallohen me tërësi të pastra dhe të përziera, bashkë me dëllinjë dhe ahun që shtrihen në pjesët e larta të vegjetacionit pyjor. Arneni mund të haset në lartësi mbidetare prej 1000 deri në 2000 metra, kurse rrobulli haset në brezin prej 1700 deri në 2000 m. Këto pyje i kanë cilësitë e pyjeve të paprekura dhe paraqesin rrallësi të vërtetë të florës. 

Fauna

Bjeshkët e Nemuna janë të pasura me faunën e llojllojshme të gjitarëve, shpendëve, peshqve, amfibeve dhe invertebrateve. Midis tyre, shumë lloje janë të mbrjtura me ligj. Kur bëhet fjalë për insektet, përfaqësuesit karakteristikë janë milingona e drurit të kuq (Formica rufa), kacadreni ose gredhi (Lacanus cervus) dhe fluturat – flutura e Apolonit (Parnassius apollo) dhe flutura bajrake (Papilio machaon). 

Bjeshkët e Nemuna janë qendra më e rëndësishme e diversitetit të herpetofaunës. Në disa lokalitete ndodhen popullsitë më të mëdha të salamandrës alpine. Nëse bëhet fjalë për endemizëm, prej dyzetë llojeve të amfibeve dhe zvarranikëve në zonë të gjerë të Bjeshkëve të Nemuna nëntë lloje janë endemike. Janë të pranishme llojet siç janë thithëlopa (Bufo bufo), thithëlopa e gjelbër (Bufo viridis), bretkosa jonë më e vogël gargaliqi (Hyla arborea), ndërsa të dy lloje të salamandrave bjeshkore (tritoni i vogël dhe tritoni alpin – Triturus vulgaris, T. alpestris) jetojnë në liqenet, kënetat dhe bërrakat bjeshkore. 

Shpendët janë grupi më i cenuar dhe më i ndjeshëm i botës shtazore në nivelin botëror. Kushtet e volitshme për ornitofaunën kanë krijuar kushte për faunën e pasur dhe të llojllojshme të shpendëve. Në zonën e Bjeshkëve të Nemuna deri tani janë regjistruar 161 lloje të shpendëve. Në këtë listë mund të shtohen edhe afro njëzetë lloje që mund të regjistrohen, ashtu që vihet deri tek të dhënat se Bjeshkët e Nemuna sigurisht janë masivi më i pasur me ornitofaunë në Mal të Zi. Këtu mund të hasen zhytësit gushëzezë, zhytësit, karabullakët, gatat, patat, rosat, gjeraqina, skifterët, kreksi, shapkëza e ujit, vraponjësit, shapkat, pulëbardhat, qyqet, bufët, dallëndyshet nate, shpejtakët, sorrat e arta, bilbilat uji, qukapikët, dallëndyshet, laureshat, bishtëlëkundësit, larashët, orionet e artë, gërgulët, sorrat…

Kur bëhet fjalë për faunën e gjitarëve, ariu (Ursus arctos), Dhelpra (Vulpes vulpes) dhe ujku (Canis lupus) janë kafshët shumë të zakonshme të këtyre trevave. Kaprollja (Capreolus capreolus) është shumë e rrallë, kurse dhia e egër (Rupicapra rupicapra) është kafshë e zakonshme për këto zona, sikur dhe derri i egër (Sus scrofa) dhe lepuri (Lepus europeus). Nga gjitarët e vegjël për këtë zonë përmenden: rrëmihësi i rëndomtë (Sorex araneus), hundëgjati alpin (Sorex alpinus), hundëgjati i ujit (Neomys fodiens), hundëgjati dhembëkuq (Neomys anomalus), urithi i verbër (Talpa coeca), si speciet që gëzojnë mbrojtjen ndërkombëtare. 

Menu