Zhvillimi i ekoturizmit në Alpet Ballkanike

Projekti ndërkufitar “Zhvillimi i ekoturizmit në Alpet Ballkanike” u zhvillua pikërisht që të arrihet zhvillimi i qëndrueshëm i rajonit ndërkufitar përmes potencialeve të përbashkëta turistike bazuar në trashëgiminë natyrore dhe kulturore. Aktivitetet e planifikuara kontribuojnë në kualitetin dhe larminë e shërbimeve, krijimin dhe promovimin e ofertës së përbashkët turistike si masë për rritjen e sigurisë së vizitorëve në Parkun Nacional Prokletije në Malin e Zi dhe Parkun Nacional Bjeshkët e Namuna në Kosovë.

 Krahas krijimit të një oferte të re turistike, terreni i vështirë dhe specifik të kësaj zone kanë bërë që fokusi i Projektit të jetë siguria e turistëve. Intervenimet e shumta për shpëtimin e turistëve të humbur ose të lënduar kanë vënë në pah nevojën për rindërtimin e infrastrukturës turistike, duke bërë që të duhet të vlerësohen nga aspekti i sigurisë dhe të rindërtohen gjithsej 50 km shtigje të ecjes malore.

 Gjithashtu, vëmendje e veçantë i kushtohet ndërtimit të kapaciteteve profesionale të ofruesve të shërbimeve turistike, forcimit të kapaciteteve të komuniteteve lokale dhe sektorit privat, duke pasur si qëllim zhvillimin e një oferte unike turistike dhe rritjen e sigurisë së turistëve. Mungesa e guidave të trajnuara të bjeshkatarisë është e dukshme, çka çon në shpeshtësinë e përmendur tashmë të aksidenteve në male. Andaj, Projekti ofron trajnime për guida të specializuara përmes trajnimit të përbashkët për shpëtimin në mal, duke e përmirësuar bashkëpunimin ndërkufitar për ofrimin e ndihmës për turistët e humbur ose të lënduar. Trajnimi zbatohet në bashkëpunim me institucionet relevante nacionale në të dy anët e kufirit, veçanërisht me mbikëqyrësit, guidat e parqeve nacionale dhe shërbimet e mbrojtjes dhe shpëtimit. Ky segment i zhvillimit të turizmit inkurajohet edhe më shumë nga rindërtimi i Qendrës së Shpëtimit që do të krijohet në mes të vitit 2021. Qendra do t’i posedojë të gjitha pajisjet e nevojshme teknike dhe mjekësore, të cilat do të sigurojnë reagim më të shpejtë dhe më efikas të ekipit të shpëtimit nëse do të ketë nevojë për intervenim.

Marrë parasysh se po flasim për një destinacion të përsosur për adhuruesit e natyrës, të pasur në specie lokale endemike dhe të rrezikuara të bimëve, zogjve dhe gjitarëve, do të zhvillohet aktivitete intensive për promovim të turizmit të bazuar në natyrën e vendit. Në këtë drejtim, janë planifikuar trajnime për guida në fushën e biodiversitetit, si vëzhgimi i zogjve, mbledhja e bimëve medicinale dhe kërpudhave.

Projekti u mundëson turistëve qasjen në informacion në lidhje me mundësitë për rekreacion në natyrë, qëndrim në natyrë dhe itinerare interesante që do të ofronin sugjerime kreative dhe gjithëpërfshirëse për udhëtime shumë ditore nga nisja deri në mbërritje, për vendet e qëndrimit, pushimit, dhe opsionet për aktivitete në natyrë. Para ZT-së në Guci dhe ZT-së në Deçan janë vendosur nga një ekran interaktiv që përmban të gjitha informatat e nevojshme për ofertën turistike të zonës dhe rrjetin e destinacioneve që ia vlen të vizitohen.

Projekti zbatohet nga Qendra për Mbrojtjen dhe Hulumtimin e Zogjve në bashkëpunim me Shërbimin e Shpëtimit Malor të Malit të Zi, si dhe partnerët nga Kosova – Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim (KADC) dhe Shoqata e Bjeshkatarëve Pashtriku. Financohet nga Bashkimi Evropian, përmes programit IPA II Mali i Zi – Kosovë 2014-2020 dhe Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.

Shpërndajeni këtë faqe

Menu