Rajoni ndërkufitar i Bjeshkëve të Namuna, përkundër kufijve që e ndajnë, karakterizohet nga trashëgimia e ngjashme natyrore dhe kulturore. Projekti “Oferta e Bjeshkëve të Namuna – Aktivitete në Gjirin e Natyrës së Përkryer” u krijua pikërisht për shfrytëzimin e këtij potenciali, përmirësimin e cilësisë së jetës në këtë zonë, si dhe për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke synuar forcimin e zonës ndërkufitare të Bjeshkëve të Namuna si destinacion për aktivitete në natyrë.
Gjatë 10 viteve të fundit, veçanërisht me krijimin e zonës së mbrojtur të Bjeshkëve të Namuna nga Kosova dhe Mali i Zi, turizmi ka luajtur rol të rëndësishëm në ekonominë lokale. Me mbërritjen e gjithnjë e më shumë turistëve që e vizitojnë këtë zonë, kanë lindur disa nevoja dhe janë shfaqur mangësi të caktuara që duhen adresuar. Ndërkohë që turistët e shohin këtë zonë si një të vetme, agjencitë turistike janë fokusuar veç në territoret e vendeve të tyre, kështu që të gjithë sektorit të turizmit po del me humbje kur flitet për cilësinë e ofertës. Kjo është arsyeja pse dy agjenci zhvillimore rajonale nga Kosova dhe Mali i Zi dhe dy institucionet kryesuese zhvillimore të turizmit nga Peja dhe Plava i kanë bashkuar forcat që ta përmirësojnë ofertën, duke e forcuar kështu sektorin ekonomik në të dy vendet.
Në mënyrë që rajoni i Bjeshkëve të Namuna të bëhet vërtet një destinacion ndërkufitar për aktivitete në natyrë, është zhvilluar një rrjet prej afërsisht 300 km shtigje për ecje malore dhe biçiklizëm, të cilat janë të shënuara dhe ofrojnë lidhje të përshtatshme mes Kosovës dhe Malit të Zi. Gjithashtu, janë dizajnuar dy itinerare tematike që i lidhin këto dy vende. I gjithë rajoni kufitar është i pajisur me zona pushimi, pika panoramike dhe parkingje për biçikleta.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar mbledhjes së informacionit për të gjitha shërbimet për turistët përgjatë shtigjeve të shënuara (ushqim, akomodim, kampe, servisim pajisjesh, pajisje me qira, pika kulturore, etj.) dhe krijimit të hartave me informacionin e siguruar. Hartat dhe tabelat informative janë vendosur përgjatë gjithë zonës kufitare duke u përkujdesur për sigurinë e vizitorëve dhe duke përmirësuar orientimin në shtigje.
Duke qenë se gjithnjë e më shumë njerëz përdorin teknologji për orientim në natyrë, u mblodhën edhe shënimet GPS të shtigjeve dhe u krijua një aplikacion mobil me të gjitha të dhënat që mund t’u duhen mysafirëve që e vizitojnë këtë rajon. Gjithashtu, të gjitha informatat ofrohen edhe në portalin online ku paraqitet e gjithë oferta e zonës kufitare, çka e bën më të lehtë sigurimin e informatave si për turistët ashtu edhe për agjencitë turistike.
Projekti do të stimulojë zhvillimin ekonomik dhe do të krijojë mundësi të reja punësimi. Aktivitete të tilla do të tërheqin një numër të madh të mysafirëve dhe do të krijojnë mundësi për shtimin e të hyrave të bizneseve të vogla ekzistuese dhe hapjen e bizneseve të reja që ofrojnë shërbime turistike.
Projekti zbatohet nga Agjencia Zhvillimore Rajonale për Bjelasicën, Komovin dhe Bjeshkët e Namuna në bashkëpunim me Organizatën e Turizmit të Plavës, si dhe partnerë nga Kosova – Agjencia për Zhvillim Rajonal PERËNDIM dhe Organizata e Turizmit e Pejës. Financohet nga Bashkimi Evropian, përmes programit IPA II Mali i Zi – Kosovë 2014-2020 dhe Ministria e Administratës Publike të Malit të Zi.