Atraksionet tjera të aktiviteteve në natyrë në zonën e Bjeshkëve të Nemuna në Kosovë

Ngjitja në shkëmbinj është një aktivitet që është duke u zhvilluar që nga viti 2002 në Grykën e Rugovës. Janë krijuar më shumë se 60 vija të ngjitjes, nga 10 deri në 35 m gjatësi, ndërsa niveli i vështirësisë së tyre është nga 5c+ deri në 6b+. Shumica e këtyre vijave të ngjitjes janë të përqendruara në Grykën e Rugovës në pika të ndryshme për ngjitje. Gjatë stinës së verës, ngjitësit e shkëmbinjve mund të vërehen çdo ditë duke shijuar aktivitetet e tyre përgjatë Grykës së Rugovës, apo edhe tek pikat tjera përreth Rugovës.

Via Ferrata (Shtegu i Hekurt) është gjithashtu një përvojë drithëruese që është mjaft e kërkuar nga vizitorët e Pejës. Deri tani janë krijuar 5 shtigje “Via Ferrata” në Bjeshkët e Nemuna, 4 nga të cilat janë në Grykën e Rugovës, dhe një në Grykën e Deçanit. Këto shtigje të hekurta mahnitëse mbi shkëmbinj kanë gjatësi prej 300 deri në 1000 metra, ndërsa lartësia e tyre nga niveli i tokës shkon mbi 300 metra. Organizata vendore dhe operatorë turistik ofrojnë ngjarje të udhëhequra në shtigjet e ngjitjes “Via Ferrata”, si dhe ofrojnë pajisjet e nevojshme të sigurisë pa të cilat ngjitja nuk lejohet.

Zip Line ofron fluturim që nxitë adrenalinën si një aktivitet tjetër që mund ta bëni në Pejë. Gjendet në Grykën e Rugovës, rreth tre kilometra nga qendra e qytetit, dhe ka një gjatësi prej 700 metra, që e bënë atë një nga më të gjatat në rajon. Përjetimi i fluturimit në zip line do ju ofrojë pamje të mahnitshme të Grykës së Rugovës dhe lumit që e përshkon atë. Ky është i vetmi zip line i madhësisë së tillë në Kosovë, dhe është i certifikuar nga një organizatë ndërkombëtare. Zip Line përdorë pajisje të prodhuara në SHBA, ndërsa stafi i aftësuar profesionalisht do ju ndihmojë për të realizuar këtë aktivitet në mënyrë të sigurt.

Paraglajdimi mbi Pejën është një aktivitet tjetër që plotëson dhe pasuron ofertën turistike të Pejës. Ky aktivitet ofrohet në dy pika, një tek Maja e Zezë që gjendet në veri të Pejës dhe ku ofrohen drejtime mjaftë nxitëse të fluturimit mbi qytetin e Pejës, ndërsa pika tjetër në malet e Lipës që ofron pamje mahnitëse të ujëvarës së Drinit të Bardh dhe të rrafshit të Dukagjinit që kap një numër të komunave.

Fluturimi me balonën me ajër të nxehtë është një zhvillimi i ri në Pejë, si pjesë e përpjekjeve të Komunës për ta pasuruar ofertën turistike. Aktualisht, ka vetëm një balon që është në funksion, mirëpo ka plane për rritjen e numrit, pasi që pilotë vendor janë duke u aftësuar dhe certifikuar për operimin e këtyre fluturakeve, kështu që në të ardhmen e afërt ky aktivitet do të bëhet edhe më i popullarizuar.

Raftingu and Kajakimi gjithashtu janë risi në listën e aktiviteteve në natyrë në dispozicion në Pejë. Organizata vendore që organizon manifestime të tilla lundrimi është akoma duke zhvilluar lokacionet përgjatë lumenjve në rajon, ku disa nga to ofrojnë përjetime që nxisin adrenalinën pasi që kalojnë mbi ujëra rapide që rrjedhin nga Gryka e Rugovës.

Eksplorimi i shpellave aktualisht është i mundshëm në dy lokacione në Pejë. Shpella “Gryka e Madhe” që gjendet në Grykën e Rugovës, është një mega atraksion që akoma është duke u eksploruar tutje. Deri me tani 13 km brenda shpellës janë eksploruar, dhe këto përpjekje të eksplorimit do vazhdojnë për vite me radhë. Kjo shpellë veçohet nga bukuria mahnitëse e galerive të saja që kanë madhësi të ndryshme dhe janë përlot me stalagmite dhe stalaktite, pishina, rrjedha ujore, etj. Ajo që e bënë të veçantë është lartësia, e që e vendos këtë në top 10 të shpellave të tilla unike në botë. Shpella tjetër që gjendet në fshatin Radavc quhet “Bukuroshja e Fjetur”, dhe gjithashtu është pjesë e zonës së parkut kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna. Kjo shpellë është e hapur dhe mund të vizitohet gjatë pjesës dërmuese të vitit, përveç në stinën e pranverës kur bora dhe akulli që shkrihen e rrisin nivelin e ujit brenda shpellës. Kjo shpellë gjendet afër burimit të Drinit të Bardh, dhe ujëvarës mahnitëse të tij, e që e bënë një kombinim atraktiv të pasurive të trashëgimisë natyrore për t’u vizituar.

Skijmi është gjithashtu një aktivitet i popullarizuar. Edhe pse kushtet për këtë janë larg të përkryerës, ju mund të keni një përjetim të mirë, posaçërisht nëse jeni fillestar që dëshiron për t’i mësuar elementet bazike. Skijimi nordik është një aktivitet tjetër në këto pjesë malore. Aktualisht, vetëm fshati i Bogës ofron shërbim të ski-liftit dhe shtigje të mirëmbajtura skijimi, megjithatë, edhe lokacione tjera janë duke u hulumtuar dhe pritet të zhvillohen në vitet vijuese.

Ecja me këpucë dëbore është një aktivitet që është zhvilluar në vitet e fundit, ku organizata vendore ofrojnë pajisje dhe udhërrëfyes për ngjarje të organizuara, përgjatë shtigjeve që lidhin fshatrat e ndryshme. Fshati i Boges është prapë pikënisje për udhëtime të tilla me këpucë dëbore, dhe përmes këtij projekti është zhvilluar një itinerar ndër-kufitar i ecjes me këpucë dëbore, që lidh fshatin e Boges me fshatrat në anën e Malit të Zi.

Nëse dëshironi të merrni më tepër informata apo jeni të interesuar për t’u bërë pjesë e këtyre aktiviteteve në natyrë, mund ta kontaktoni Zyrën për Informim Turistik të Pejës përmes opsioneve vijuese:

Tel: +383 (0) 39 423 949
Email: pejatourism@yahoo.com pejatourism@hotmail.com
Web: www.pejatourism.org

Shpërndajeni këtë faqe

Menu