Park kombëtar Bjeshkët e Nemuna (Mal i Zi)

Parku kombëtar Bjeshkët e Nemuna është parku më i ri në Mal të Zi, por edhe në zonën e Harkut Dinarik. Zyrtarisht është shpallur për park kombëtar në vitin 2009, kryesisht për pasuri të florës dhe të faunës që këtë zonë e karakterizon si qendër të diversitetit të bjeshkëve të larta. Përveç kësaj, karakteristikat e Bjeshkëve të Nemuna janë edhe relievi specifik dhe pasuria ujore. Në këtë kuptim, veçohen liqenet akullnajore: Hrid, Visitorit, Ropsit, Tatarit, Bjellajë, liqeni i vogël në Majën e Podgojs, liqeni i vogël në Treskavc, Kolindar, si dhe rrjedhat ujore të vogla dhe të mëdha, përrenjtë dhe burimet e ujit të pijshëm dhe ujit mineral, lumenjtë, ujërat nëntokësore dhe bërrakat bjeshkore. Relievi i Bjeshkëve të Nemuna është i dhëmbëzuar, me kreshta të shumta, gryka, shpata të pjerrëta, lugina të lumenjve të tipit alpin dhe me fenomene natyrore të tjera. 

Për shkak të bukurisë së vetë, paqasshmërisë, biodiversitetit të pasur, Parku kombëtar Bjeshkët e Nemuna shndërrohet në destinacionin e preferuar për një numër gjithë e më të madh të turistëve, adhuruesve të natyrës, posaçërisht të alpinistëve. Destinacioni i preferuar dhe pikënisja për të gjitha shtigjet e shënuara në park janë dy lugina të gjera, me kornizë prej majave të bjeshkëve – Gërbajë dhe Ropojana. Pamjet dhe panoramat me të ilat mund të kënaqeni kur të arrini majat më të larta të Bjeshkëve të Nemuna thjesht janë mbresëlënëse. Shtigjet bjeshkore më të popullarizuara çojnë deri tek Vollushnica (1879 m), Talijanja (2056 m) dhe Popadia (2057 m). Nga ana tjetër, shtigjet sfiduese dhe tërheqëse çojnë deri tek majat më të larta të Bjeshkëve të Nemuna në Mal të Zi, siç janë Kollata e Keqe, Karanfili dhe Oçnjak. Po ashtu, gjatë vizitës së Parkut kombëtar, nuk duhet ta lini pa e vizituar Liqenin Hrid, ujëvarën Grle, Synin Skakavica, që veçohen si vendet të cilat turistët i vizitojnë më së shumti. 

Kur bëhet fjalë për pasurinë e biodiversitetit, fakti që lënë përshtypje është se në PK Bjeshkët e Nemuna ka më shumë se 2000 specie të ndryshme bimore, që është gjysma e numrit të përgjithshëm të florës në Mal të Zi dhe gati një e pesta e gjithë florës ballkanike. Parku kombëtar është i pasur me pyje, dhe gati gjysma e tyre e kanë karakterin e pyllit të lashtë të paprekur. Po ashtu, në Bjeshkët e Nemuna është regjistruar një numër i madh i endemive që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të florës endemike të Gadishullit Ballkanik. 

Bota shtazore po ashtu është e llojllojshme. Parku kombëtar Bjeshkët e Nemuna dallohet si qendra më e rëndësishme e diversitetit të herpetofaunës. Kur bëhet fjalë për ornitofaunën, në këtë zonë janë regjistruar mbi 180 lloje të shpendëve, gjë që Bjeshkët e Nemuna i bënë masiv bjeshkor me ornitofaunë më të pasur në Mal të Zi, dhe jo vetëm, por edhe më gjerë. Tërheq vëmendjen edhe fakti që në këtë zonë është regjistruar prania e llojeve të cenuara dhe të mbrojtura të gjitarëve. Në pyjet e Bjeshkëve të Nemuna mund të hasni: lepurin, ujkun, ariun, derrin e egër, dhinë e egër, kaprollen. Habitatet e tyre janë zonat e bjeshkëve të larta, luginat Ropojanë dhe Gërbajë, komplekset pyjore, liqenet dhe lumenjtë bjeshkore. 

Në territorin e parkut ndodhen edhe rezervatet e natyrës, respektivisht zonat me vlera të jashtëzakonshme natyrore që e meritojnë vëmendjen e posaçme floristike dhe ambientale-estetike – Liqeni Hrid dhe Vollushnica. 

Menu