Është maja më e lartë në komunën e Pejës dhe bjeshkët e Rugovës, dhe gjendet në pjesën qendrore të Bjeshkëve të Nemuna në Kosovë. Balli verior i kësaj bjeshke paraqet një sfidë për ngjitje pasi që është pjesë me shkëmbinj vertikal, ndërsa shtegu alternativ për pushtimin e majës shfrytëzon lugjet e krijuara nga natyra nga ana tjetër e bjeshkës. Prandaj, nëse jeni duke e pushtuar bjeshkën nga ana veriore, kërkohet njohje e shkathtësive të ngjitjes në shkëmbinj. Megjithatë, nëse ngjitja në shkëmbinj nuk është një opsion për ju, ana jugore ofron shtigje me ecje të vështirësisë mesatare, por që gjithashtu ofrojnë pamje dhe përjetime shumë atraktive. Janë dy drejtime që mund t’i merrni për të arritur tek bjeshka e Gurit të Kuq, një nga fshati Kuqishte, përkatësisht nga zona e njohur si Leqinat, ndërsa tjetri nga fshati Lumbardh.
Shtegu i parë për tek Maja e Gurit të Kuq fillon nga Liqenati që i përket fshatit Kuqishtë, ku mund të arrinin me çfarëdo mjeti të motorizuar transporti, dhe vazhdon tek liqeni piktoresk i Leqinatit që gjendet në një zonë përplot me gjelbërim, dhe me florë dhe faunë të pasur, që do ju mundësojë një përjetim të paharrueshëm të ecjes malore. Shtegu pastaj vazhdon përmes pyjeve të dendura të cilat ende shfrytëzohen nga brinjët, për të arritur pastaj për tek Liqeni i Drelajve i cili në pranverë ka sasia të madhe të ujit. Kjo është një zonë e njohur për fruta mali si boronica dhe çajra mali. Pastaj shtegu kalon përgjatë Lugut të Shkodrës ku lidhet me pjesën e majës së Gurit të Kuq.
- Gjatësia: 7.2 km
- Lartësia mbidetare minimale 1,510 m / Lartësia mbidetare maksimale 2,522 m
- Vështirësia: Mesatare (e përshtatshme për bjeshkatarët e të gjitha moshave dhe vizitor që janë në gjendje të mirë fizike dhe kanë njohuri të ecjes malore, ndërsa gjatë dimrit nevojitën shkathtësi teknike më të larta)
- Kohëzgjatja: 4:30 orë
Shtegu i dytë për në këtë majë kalon nga fshati i Lumbardhit, që mund të arrihet me transport të motorizuar të llojit të terrenit malor, e që zgjatë rreth një orë nga qyteti i Pejës. Ky shteg ofron gjithashtu peizazhe të bukura, përgjatë të cilit do të mund të shihni liqenin e drunjve, si dhe habitatet e shtazëve të egra si dhitë e bjeshkëve, për tu lidhur pastaj me Gurin e Kuq ku fillon pushtimi i majës.
- Gjatësia: 9 km
- Lartësia mbidetare minimale 1,550 m / Lartësia mbidetare maksimale 2,522 m
- Vështirësia: Mesatare (e përshtatshme për bjeshkatarët e të gjitha moshave dhe vizitor që janë në gjendje të mirë fizike dhe kanë njohuri të ecjes malore, ndërsa gjatë dimrit nevojitën shkathtësi teknike më të larta)
- Kohëzgjatja: 5:30 orë